Kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se për arritjen e një marrëveshje me Serbinë trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, ndërkohë që ka shtuar se e mirëpresin rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), që paraqesin sipas tij aleatin kryesor të Kosovës.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore, e para është mbrojtja, e dyta diplomacia dhe e trata është zhvillimi”, ka deklaruar Kurti, tek ka komentuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili derisa ka thënë se ka Irani dhe Izraeli duhet dhe do të arrijnë marrëveshje, ka përmendur edhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se gjatë mandatit të tij të parë “kishte ndaluar mundësinë e eskalimit të situatës”.
Trump ka theksuar se ish-presidenti Joe Biden “e ka dëmtuar perspektiven afatgjate me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish”. Kurti pas vënies së gurit themeltar të QKMF-së në Shtime, ka theksuar se është e domosdoshme që Serbia të ndërmarrë tri veprime për të arritur një marrëveshje për normalizim.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona është e domosdoshme që ata së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve tona Milan Radoiçiqin, kryekriminelin i cili na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, më pastaj të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin atë letrën nga dhjetori i vitit 2023 kur ish-kryeministrja Bërnabiq pati thënë se nuk e respekton integritetin territorial Kosovës”, ka deklaruar Kurti.