Në seancën e sotme në GJKKO, bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë një dëshmi tronditëse mbi aktivitetin e tij dhe të vëllait, Endrit Alibej. Ai tregoi se të dy kishin ngritur një marrëveshje për trafik droge konkretisht një ngarkesë me 530 kilogramë kokainë, që ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Turqinë.
Sipas Alibejt, ata kishin krijuar lidhje të ngushta me Dritan Gjikën dhe një shtetas turk, mik i familjes së tyre, i cili u vra së bashku me Endritin. Ai theksoi se pas vrasjes së tyre, përveç goditjes emocionale, pësoi edhe një humbje të madhe financiare.
“Ne nuk kemi qenë kurrë të përfshirë në vrasje, merreshim vetëm me drogë. Kjo ngarkesë ishte gjithçka që kishim,” deklaroi ai para trupit gjykues. Alibej rrëfeu gjithashtu se për komunikimet lidhur me trafikun përdornin aplikacionin Sky ECC.
Në dëshminë e tij, ai akuzoi edhe zyrtarë të policisë dhe prokurorisë në Elbasan për korrupsion, duke thënë se ka prova për lidhjet e tyre me krimin. Madje, përmendi edhe emrin e Suel Çelës, duke e akuzuar se kishte interes për të “nxjerrë Endritin nga loja”.
Seanca vazhdon, ndërsa priten të tjera zbardhje nga rrëfimi i tij.