Sot u zhvillua dita e tretë e procesit të rinumërimit të kutive të votimit në qarkun e Tiranës, ku janë përpunuar 437 nga 1282 kuti në total, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në krahasim me rezultatet fillestare, Partia Socialiste ka humbur 193 vota, ndërsa koalicioni PD-ASHM ka regjistruar një rënie prej 219 votash. Nisma Shqipëria Bëhet ka pakësuar votat e saj me 26, PSD me 23, Lëvizja Bashkë me 10 dhe Partia Mundësia me 8 vota më pak.
Nga ana tjetër, Koalicioni Euroatlantik ka fituar 13 vota më shumë, ndërsa Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka shtuar 7 vota.
Rinumërimi do të rifillojë ditën e hënë në pallatin e sportit “Fahrije Hoti” dhe pritet të zgjasë për dhjetë ditë. Pas Tiranës, do të nisë rinumërimi edhe në qarqet e Fierit dhe Durrësit.