Ministria e Jashtme e Iranit ka reaguar me tone të ashpra pas sulmeve ajrore amerikane ndaj centraleve bërthamore iraniane. Ministria i cilëson këto sulme si nisje të një “lufte të rrezikshme kundër Iranit”.
“Qeveria e SHBA mban përgjegjësinë e plotë për pasojat e rënda dhe të pakthyeshme të këtij krimi të tmerrshëm,” thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme iraniane.
Ministria i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe agjencive përkatëse, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), që të veprojnë menjëherë ndaj këtij akti të paligjshëm. Gjithashtu, kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar sulmet.
“Krimi i SHBA-së për sulmin ndaj objekteve bërthamore paqësore të Iranit, i kryer në orët e para të ditës së dhjetë të agresionit ushtarak të Izraelit kundër kombit iranian, ekspozoi bashkëpunimin kriminal të Amerikës me regjimin sionist në hartimin dhe ekzekutimin e agresionit ushtarak kundër Iranit.
Më qartë se kurrë, kjo zbuloi të vërtetën e zhveshur: se politika dhe qeverisja amerikane janë nën kontrollin e një karteli sionist të korruptuar dhe kriminal që shfrytëzon pasurinë, jetët dhe reputacionin e amerikanëve për të çuar përpara qëllimet e veta kriminale në botë dhe në Azinë Perëndimore”, thuhet në deklaratë.