Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar fuqishëm pas sulmeve ajrore të SHBA-së mbi tri objekte bërthamore iraniane, duke i cilësuar si “një sukses spektakolar” dhe një “fitore të plotë”. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump lavdëroi ushtrinë amerikane për “heqjen e bombës nga duart e Iranit”, duke deklaruar se regjimi iranian do ta kishte përdorur atë armë nëse do të kishte mundësi.
Krahas këtij mesazhi, Trump sulmoi kongresmenin republikan Thomas Massie, duke e akuzuar se “saboton përpjekjet për mbrojtjen kombëtare” dhe e cilësoi si një “politikan të dobët e joefektiv”. Ai paralajmëroi se do të mbështesë një kundërkandidat ndaj Massie në zgjedhjet paraprake në Kentucky.
Reagimi i Trump vjen mes tensioneve të rënda në Lindjen e Mesme, ndërsa Irani ka paralajmëruar hakmarrje. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet urgjentisht për të diskutuar situatën e krijuar.