Policia Spanjolle ka bashkëpunuar me Europol, Interpol dhe autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për të arrestuar në Abu Dabi një nga liderët kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës, bashkëpunëtorin e Dritan Gjikës.
I arrestuari koordinonte personalisht kontaktet me furnizuesit e kokainës, si dhe transportin, magazinimin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në Evropë përmes një rrjeti që vepronte nga Ekuadori, raportohet në mediat spanjolle.
Ai kishte një kontratë me furnizues kolumbianë për të marrë 4000 kilogramë kokainë në muaj të destinuara për tregun evropian.
Gjatë operacionit “Pampa”, në të cilin morën pjesë 800 agjentë, u arrestuan 40 persona në Spanjë dhe Ekuador, dhe u kryen 62 kontrolle që çuan në sekuestrimin e mbi 500,000 eurove dhe 2,370,000 dollarëve në para të gatshme, armë lufte dhe 12 makina luksoze. Ky operacion ishte i lidhur drejtpërdrejt me hetimet që përfshinin rrjetin e Dritan Gjikës.
Organizata përdorte një rrjet të gjerë portesh evropiane për të futur drogën, mes tyre Amber, Roterdam, Algeciras, Hamburg, Shën Petersburg, Durrës, Gioia Tauro dhe Konstancë, ku ata kishin bashkëpunëtorë kryesisht të lidhur me mafian shqiptare.
Gjykata Qendrore e Hetimit numër 1 ka kërkuar ekstradimin e tij për t’u gjykuar në Gjykatën Kombëtare. Ai do të ekstradohet në Spanjë r t’u gjykuar së bashku me anëtarët e tjerë të organizatës.