Ministria e Arsimit njofton se provimet e Maturës Shtetërore janë zhvilluar me korrektësi dhe përkushtim për ruajtjen e standardeve dhe konfidencialitetit. Sot u zhvillua provimi i fundit me zgjedhje për maturantët.
Në një rast në Durrës, një maturant u kap duke fotografuar testin me telefon dhe u përjashtua menjëherë nga provimi. Ministria po ashtu do të marrë masa edhe ndaj administratorit të provimit në atë shkollë, për moszbatimin e rregullores që ndalon përdorimin e celularëve gjatë testimit.
Ministria e Arsimit e konsideron të papranueshëm çdo publikim të testit pa autorizim dhe vijon të monitorojë dhe mbrojë integritetin e procesit të Maturës.