Gjatë vizitës së tij në Kalabri, Italia, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua me drejtues dhe investitorë italianë, duke i ftuar ata të konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion strategjik për investime që shtrihen në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në një ceremoni të organizuar nga autoritetet e Kalabrisë dhe në prani të komunitetit arbëresh, Begaj vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve dhe falënderoi Italinë për mikpritjen e shqiptarëve dhe arbëreshëve, si dhe për mbështetjen e fuqishme në integrimin europian të Shqipërisë.
“Shqipëria është një vend i orientuar drejt paqes dhe bashkëpunimit rajonal, me një partneritet strategjik të fortë me Italinë në fushën ekonomike, kulturore dhe arsimore,” theksoi presidenti Begaj.