-sidi education-spot_img
28.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Irena Beqiraj: Demografia, ushqimi, muzika edhe e ardhmja e kombit!

Kryesoret

Ndonjëherë është e nevojshme të përpiqesh të deshifrosh realitetin dhe të parashikosh të ardhmen, duke u mbështetur edhe te të dhëna të tjera përveç treguesve kryesorë ekonomikë, ku në qendër të këtyre të fundit mbetet PBB-ja, megjithë pasaktësitë në matje dhe në paraqitjen e saj.

Pra, ka parametra të tjerë që tregojnë më shumë për të ardhmen e një kombi sesa thjesht statistikat ekonomike, me të cilat janë mësuar të “mburren” qeveritë. Sipas Jacques Attali-së, ka tre parametra që duhen studiuar kur përpiqemi të kuptojmë se ku po shkon një komb: demografia, ushqimi dhe muzika.

  1. Shqipëria po plaket shpejt!

Megjithëse sot Shqipëria nuk është vendi më i moshuar në Europë, ajo po plaket jashtëzakonisht shpejt. Një tregues i kësaj dukurie është përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç. Në Europë, u deshën mesatarisht 26 vjet që ky raport të rritej nga 15% në 20%; në Shtetet e Bashkuara u deshën më shumë se 50 vjet.

Në Shqipëri, të dhënat demografike tregojnë se përqindja e moshës mbi 65 vjeç, nga 5.5% në vitin 1990, sot zë rreth 16% të popullsisë. Parashikohet që kjo shifër të arrijë në 26.4% në vitin 2050.

Kostot e larta fiskale të plakjes me ritme të shpejta janë njëra anë e problemit; ana tjetër është se plakja e popullsisë çon në një ekonomi më pak dinamike, ku çdo rritje prej 10% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç e ul PBB-në për frymë me rreth 5.5%. Një e treta e këtij reduktimi vjen nga rritja e ngadaltë e punësimit; dy të tretat, për shkak të ngadalësimit të produktivitetit të punës.

  1. Ushqimi i kushtueshëm dhe “oreksi që vjen nga uria”

Çmimet në Shqipëri po rriten shumë shpejt, duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hendekun me Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat-it, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të larta se mesatarja e BE-së, ndërkohë që të ardhurat për frymë janë vetëm 41% e kësaj mesatareje.

Ky hendek mes çmimeve dhe të ardhurave nuk i lejon 50% të shqiptarëve të përmbushin më shumë sesa atë që një tjetër francez, Alexandre Dumas, në librin e tij Fjalori i Kuzhinës, e quajti “oreksi që vjen nga uria”. Ky lloj oreksi është pa pretendime, nuk bën bujë, dhe mjaftohet me një ushqim që ngop.

  1. Asnjë lajm i mirë as nga muzika

Muzika tregon gjithçka rreth kreativitetit të një kombi: gëzimin për jetën, revoltën, marrëdhëniet mes njerëzve. Ajo ka gjithashtu aftësinë unike për të ndezur imagjinatën e pjesës tjetër të botës për vendin ku është krijuar.

Ndërkohë që tregu global i muzikës vlen 41.5 miliardë dollarë dhe e tejkalon atë të mallrave tradicionale si kafeja apo duhani, muzika është një mundësi për zhvillim ekonomik dhe tregtar. Krijuesit me rritjen më të shpejtë gjenden në tregjet në zhvillim në Afrikë dhe Amerikën Latine, që përkojnë me vende me popullsi kryesisht nën 30 vjeç.

Prandaj, muzika nuk është thjesht një pasqyrim i kulturës, por edhe një paralajmërues i ndryshimit – një abstraksion paraprak i formës së gjërave që do të vijnë.

As në këtë parametër nuk duket se kemi gjasa për zhvillim. Ne jemi një komb ku mesatarisht njerëzit shikojnë televizor rreth 5.5 orë në ditë, nuk lexojnë libra, shkojnë rrallë në teatër apo koncerte. Në këndvështrimin publik, artisti/artistja është vetëm një objekt. Suksesi në muzikë nuk përcaktohet nga cilësia e krijimit, por nga pamja e jashtme: gjinjtë, të ndenjurat e rrumbullakosura, buzët e fryra, dhëmbët me faceta të bardha, veshja. Këngët ofrojnë tekste me vetëm 10 fjalë dhe tinguj tallava.

Attali nuk beson në të ardhmen e kombeve si Shqipëria, me një popullsi në plakje dhe/ose ushqim tepër të kushtueshëm dhe/ose muzikë të dobët, e cila dëgjohet vetëm në tokën e vet dhe jo në kombet e tjera.

Por nuk kemi pse të shqetësohemi për besimet apo mësimet e Attali-së! Të ardhmen e kombit mund ta rregullojmë me një veprim matematikor. Mjafton të shprehim PBB-në e Shqipërisë në euro dhe mund të mburremi se është rritur 3 herë. Po ta shprehim në lira turke, e ardhmja do të dukej 14 herë më e mirë!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit