Të paktën 16 persona kanë humbur jetën në Kenia gjatë protestave të fundit mbarëkombëtare, që kulmuan të mërkurën me përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë. Shumica e viktimave dyshohet se janë vrarë nga ndërhyrja e policisë.
Tubimet u organizuan për të kujtuar protestat e ashpra të një viti më parë, ku dhjetëra njerëz u vranë teksa kundërshtonin një projektligj të kontestuar për taksat, që në atë kohë shkaktoi edhe një sulm në godinën e parlamentit.
Qindra e mijëra protestues u mblodhën në kryeqytetin Nairobi dhe në qytete të tjera, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes. Sipas burimeve lokale, policia reagoi me përdorimin e gazit lotsjellës dhe forcë fizike për të shpërndarë turmat.
Kjo valë protestash ka thelluar më tej përplasjet mes popullit dhe strukturave shtetërore. Aktivistë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për hetim të pavarur mbi reagimin e forcave të rendit dhe mënyrën se si janë trajtuar qytetarët.
Ndërkohë, Amnesty International në Kenia ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren hapa konkrete për të mbrojtur liritë qytetare dhe për të siguruar llogaridhënie nga autoritetet, vendi rrezikon të përballet me një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës nga vetë shteti.