Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës ka hyrë në ditën e nëntë, ku kanë mbetur vetëm 40 kuti nga gjithsej 1207.
Në vazhdim të këtij procesi, vijon trendi i heqjes së votave për partitë kryesore: Partisë Demokratike pritet t’i hiqen 598 vota, ndërsa Partisë Socialiste 381 vota.
Debate janë zhvilluar mes partive dhe përfaqësuesve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) lidhur me vlefshmërinë e votave, për shkak të mënyrës së vendosjes së kryqit në fletët e votimit. KAS ka cilësuar si të pavlefshme disa vota, çka po kundërshtohet nga partitë që kërkojnë njohjen e vullnetit të qytetarëve.