Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po ndërpret menjëherë bisedimet tregtare me Kanadanë, pasi qeveria kanadeze po përgatitet të zbatojë një taksë ndaj kompanive të mëdha teknologjike amerikane.
Të dyja palët kanë vendosur tashmë tarifa ndaj mallrave të njëra-tjetrës, pas përshkallëzimit të tensioneve më herët këtë vit, kur Trump nisi një luftë tregtare dhe madje kërcënoi se do të përdorte “forcën ekonomike” për të aneksuar Kanadanë.
Të premten, Trump tha se po i jepte fund bisedimeve për shkak të asaj që e cilësoi si një “taksë të rëndë dhe të padrejtë” ndaj kompanive teknologjike. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të shpallë tarifa të reja për mallrat kanadeze që hyjnë në SHBA brenda javës së ardhshme.
“Me efekt të menjëhershëm, ne po ndërpresim TË GJITHA bisedimet tregtare me Kanadanë. Kanadaja do të njoftohet brenda shtatë ditëve për tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.
Taksa 3% mbi shërbimet digjitale e miratuar nga Kanadaja vitin e kaluar është bërë pikë përplasjeje me Uashingtonin. Pagesat e para për këtë taksë pritet të fillojnë të hënën.
Ministrja kanadeze e Financave konfirmoi se vendi do të vazhdojë me zbatimin e ligjit, por nuk dha komente të menjëhershme për mediat. Sipas grupeve të biznesit, kjo taksë pritet t’u kushtojë kompanive amerikane mbi 2 miliardë dollarë në vit.









