Ardit Hoxhaj me anë të një postimi në rrjete sociale ka njoftuar se është larguar zyrtarisht nga Flamurtari.
Sulmuesi në postim akuzon trajnerin Andrea Agostinelli, se ka dashur t’i prishë karrierën, në fillim te Skënderbeu dhe më pas te Flamurtari në sezonin e fundit.
“Përshëndetje! Dua t’ju bëj me dije se nga sot nuk jam më pjesë e ekipit të Flamurtarit, jam lojtar i lirë.
Dua të falënderoj presidentin e ekipit, Sinan Idrizi, për mundësinë e dhënë të jem pjesë e Flamurtarit.
Pas një viti të vështirë në aspektin personal, ku erdha me dëshirën më të madhe për të kontribuar për ekipin, por nuk e kuptova kurrë se çfarë ndodhi, dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur: tifozët e Flamurtarit, familjen time dhe gjithë shokët e ekipit.
Një falënderim edhe për trajnerin Andrea Agostinelli, që ka dashur të ma prishë karrierën që kur isha fëmijë me ekipin e Skënderbeut dhe përsëri tani te Flamurtari. Më bëri një lojtar më të fortë dhe me më shumë suksese gjatë rrugës. Edhe ky vit ishte një mësim i mirë.
Të gjithë jemi kalimtarë, Flamurtari është i përjetshëm. Suksese në Superligë, Flamurtari”, shkruan Hoxhaj.