Dihet se doktrinat gjeopolitike presidenciale amerikane kanë rëndësi jetike kryesisht për të garantuar miqtë dhe aleatët, për të dekurajuar armiqtë, për të mobilizuar ekspertët e sigurisë kombëtare dhe për të ndërgjegjësuar publikun mbi linjat e përgjithshme gjeopolitike në të ardhmen. Ndonëse ende e pashpallur zyrtarisht, në këto gati 6 muajt e parë të tij, Presidenti Trump tashmë i ka shprehur qartë jo vetëm me deklarime por dhe në terrenet praktike kudo në botë vijat e përgjithshme të doktrinës së tij politike.
Le ta themi qysh në krye të herës se Doktrina Trump shënon një ndarje “me thikë” me paraardhëset e saj, të cilat përgjithësisht konsistonin në bashkëpunimin politik dhe ekonomik me aleatët dhe në kërcënimin/dekurajimin e armikut. Ndërsa tani, siç pohon dhe Stephen Wertheim, historian i njohur i politikës së jashtme në Institutin e famshëm “Carnegie” politika e jashtme amerikane nuk ka parime strategjike sipas kuptimit klasik. Kjo dhe për faktin se më parë, SHBA-të ishin instanca e fundit dhe përcaktuese për aspektet e sigurisë; vendimet e SHBA-ve merreshin shumë seriozisht; ndërsa tani ajo është vetëm një ndër aktorët madhorë konkurues e që sidomos në një plan më afat-gjatë nuk dikton dot më e vetme. Gjithashtu, thelbin e kësaj doktrine dhe dukurie nuk e ndryshojnë dot as sulmet e suksesshme amerikane kundër objekteve bërthamore iraniane gjatë Luftës 12 ditore të Izraelit kundër rregjimit të Teheranit dhe as prononcimet pozitive të Presidentit Trump në Samitin e NATO-s në Hagë me 25 Qershor.
Më konkretisht, shumica dërmuese e ekspertëve dhe politologove të huaj bien dakord se thelbi i Doktrinës Trump është “Transaksionalizmi” ose aftësia për të bërë transaksione tregtare me vende të ndryshme, një lloj merkantilizmi si ai i disa shekujve më parë. Për pasojë, sipas Boris Vormann, drejtor pranë Institutit ”Card College” në Berlin rëndësi përcaktuese për Trump kanë përfitimet afat-shkurtëra, ujditë dypalëshe dhe merkantilizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është dhe arsyeja, sipas ekspertit të çështjeve amerikane, Jasper Trautch që Trump fshikullon me tarifat e ashpra doganore dhe Kanadanë me BE-në, edhe pse ata janë aleatë tradicionalë, por ndërkohë ”kursen” Rusinë. Ndaj dhe ” Amerika e para” nënkupton që në politikën e jashtme për SHBA-të dhe Trump peshojnë vetëm përfitimet e prekshme në dollarë, me syn im lulëzimin dhe begatinë ekonomike, si recetë për paqe dhe stabilitet dhe pa retorikën e bujshme demokratike! Në këtë linjë, Trump premtoi kthimin e Gazës në një resort të bukur turistik; Presidentin Zelenski e nxorri jashtë zyre dhe e afroi kur ai nënshkroi Marrëveshjen ekonomike për mineralet; në Siri ia hoqi sanksionet liderit të ri ish islamist, për kokën e të cilit më parë jepeshin 10 milion dollarë, etj.
Transaksionalizmi i Presidentit Trump ndryshon shumë nga ai i Presidentit Regan, sipas të cilit SHBA-të duhej të ishin “ qytet ndriçues në kodrinë, “ duke u kthyer tashmë në një sipërmarrje parash, ku idealet lihen jashtë për t’ia lënë vendin “ Artit të ujdisë”. Tanimë, SHBA-të do të kundërveprojnë vetëm ndaj atyre vendeve, që u bëhen pengesë në biznesin dhe ujditë e tyre, pavarësisht nëse janë armiq apo aleatë, diktatura ose demokraci! Doktrina Trump i thotë “JO” luftës, kaosit, bezdive dhe telasheve dhe PO biznesit! Edhe lufta kundër Kinës sipas kësaj doktrine nuk bëhet nga pozita ideologjike anti-komuniste por vetëm për shkak të pengesave tregtare dhe sfidave madhore kineze. Mjafton të përmendet se në vitin 2000 Kina prodhonte 6 për qind të mallrave botërore, ndërsa më 2030 parashikohet që kjo shifër të rritet në 45 për qind! Madje dhe BE-në me Gjermaninë në krye, Trump tashmë i do dhe i dëgjon vetëm ose kryesisht si partnerë ekonomikë për të rregulluar deficitin e madh tregtar dhe aq.
Doktrina Transaksionaliste mund të përkthehet dhe ” mos fol e mos bëj keq dhe mos përmend të keqen”, ”më pak moral, më shumë para” kjo nuk është puna jonë”! Shqetësimi madhor është se sipas kësaj doktrine, SHBA-të ka të ngjarë që nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera, mënyrat se si ato qeverisin, si respektohen të drejtat e njeriut dhe demokracia dhe nuk do të ushtrojnë trysni për lirimin e disidentëve politikë. Për pasojë, vendet demokratike do të “të futen në një thes“ me rregjimet autoritariste dhe diktatoriale. Dhe ja shihni, asnjë kërkesë nga SHBA për lirimin e të burgosurve politikë në Iran apo protestë për burgosjen e liderëve të opozitës në Turqi. Dhe në Shqipëri PD-së “nuk ia vari“ kush nga Administrata amerikane, megjithëse në zgjedhjet e 11 Majit ajo u paraqit me bujë me MAGA-n e Trump! Deklarata e vonuar e Ambasadës amerikane për 11 Majin zgjedhor përbën ndoshta ndër shembujt e parë të zbatimit të doktrinës së re amerikane dhe në vendin tonë. Në emër të kësaj doktrine u çmontuan vërtet brenda natës dhe përfaqësuesit më me zë të “ fuqisë së butë” amerikane në botë, emblematikët” USAID” dhe ” Zëri i Amerikës” dhe u ndërpre financimi i universiteteve më të famshme amerikane.
Për pasojë, demarshet amerikane që trembnin dhe tronditnin diktaturat dhe autokratët e që frymëzonin demokracitë në botë mund t’i përkasin të kaluarës. Ndaj, siç pohojnë disa ekspertë dhe politologë, të mos habitemi kur në pikpamje të sjelljes demokratike, SHBA-të t’u ngjajnë vendeve dhe qeverive që dikur i qortonin; kjo është sa tragjike aq dhe ironike! SHBA-të kanë filluar qysh tani të distancohen ”me lezet” nga vendet me demokraci liberale, duke mbështetur atje forcat e ekstremit të djathtë dhe duke krijuar aleanca interesash klienteliste. Ndaj, veç të tjerash, krerët e BE-së po shkrijnë gjithë mjeshtërinë e tyre diplomatike për ta ” marrë me të mirë” dhe për të mos “e bezdisur“ Trumpin në takimet me të. Së fundi kjo u pa qartë në Samitin e NATO-s në Hagë, të cilin, ndryshe nga përvoja e mëparshme “e sakatuan” nga 3 ditë vetëm në 24 orë; u hoqë disa sesione pune, deklarata u reduktua në 5 nga 40 paragrafë Samitin e kaluar në Uashington dhe shumë gjeste të tjera, që Trump të mbetej sa më i kënaqur të mos largohej parakohe, siç bëri në Samitin e G – 7 në Kanada.
Ndërkohë, pyetja dhe shqetësimi madhor që po shtrohet lidhur me Doktrinën Trump është nëse ajo e bën më të sigurt botën dhe vetë Amerikën. Siç u përmend dhe më lart, sipas kësaj doktrine, autokratëve, diktatorëve dhe rregjimeve autoritare nuk nuk do t’u “hyjë më gjemb në këmbë” për aq kohë sa kënaqin orekset ekonomike dhe tregtare dhe të mos i “ vendosin shkopinj në rrota” SHBA-ve. Problemi i madh që lind këtu është që nëse Trump dhe SHBA-të tërhiqen nga konfliktet, luftrat dhe ideologjia, do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur se të njëjtën gjë do të bëjnë dhe të tjerët e sidomos Kina, Rusia, Korea e Veriut, Irani thjesht për hir të mirësjelljes së SHBA-ve!. Fjala vjen, lideri i ri i Sirisë, ish islamisti 42 vjeçar Al Sharaa a do të pranojë të qëndrojë në krye të vendit thjesht dhe vetëm për të mbajtur nën kontroll çmimet e shitjes së shalqinit? Pra, a do të jetë ai i gatshëm të ndryshojë zakonin, siç ”ndërron lëkurën”? Ja pse transaksionalizmi amerikan vështirë se premton diçka të mirë për nxitjen dhe promovimin e demokracise liberale. Sepse SHBA-të do të mbështeten në aleanca të pjesshme e të paprincipta, por dhe ato të drejtuara nga fitimet dhe jo nga parimet!
Kjo doktrinë është lajm i keq dhe për opozitën kudo në botë e sidomos në Ballkan, dhe në favor të qeverive të cilat lidhur me interesat amerikane kanë në dorë “ gurin dhe arrën”, duke qenë më në gjendje me pushtetin e tyre të pakufizuar për të kënaqur orekset amerikane me lëshime, favore dhe ujdira të leverdishme dhe për rrjedhojë mund të mos “ i luajë më as topi” duke nxjerrë jashtë loje dhe rotacionin demokratik të pushtetit. Sepse dhe votat do të kthehen në një fasadë për të justifikuar zbatimin e politikave që u vijnë mbas avazit qeverive autoritare, duke i anashkaluar “me procedura“ vërejtjet opozitare. Për pasojë, do të bjerë ndjeshëm dhe efektiviteti i kërkesave të BE-së, çka në fakt po vërehet qysh tani, duke rënë dhe ajo “ viktimë” e politikave dhe interesave të çastit, duke i spostuar “prapa liste” vlerat dhe parimet, ose duke i përdorur ato herë pas here si “garnityrë” politike