Komisionerja e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh me sinqeritet në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut: reformat janë sfiduese, por nuk ka rrugë tjetër përveç punës së palodhur.
“Jeni në garë, si ne. Çdo hap përpara kërkon forcë politike dhe përkushtim,” tha Kos, duke nënvizuar se suksesi i rajonit është në dorën e vetë vendeve. Ajo premtoi mbështetje konkrete për projektet që ndryshojnë jetën e qytetarëve, si rrugë, parqe dhe energji diellore.
“Ne duam t’ju shpërblejmë për përpjekjet, por reformat duhet të zbatohen,” shtoi Komisionerja, duke garantuar se do të bëjë gjithçka që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e familjes evropiane gjatë mandatit të saj.