Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka anuluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për dënimin e Marjeta Karajt, djalit të saj Besmir Karaj (në kërkim ndërkombëtar) dhe bashkëpunëtorit Gazmir Ngota, për vrasjen makabre të Menduh Kurtdedës në vitin 2017.
Sipas Apelit, akuza ishte rënduar padrejtësisht, ndaj çështja do të gjykohet sërish në Shkallë të Parë me një trupë të re.
Hetimet zbuluan se viktima ishte konfliktuar me Karajn për fondet e një OJF-je. Më pas, me urdhër të saj, ai u rrëmbye, u dhunua dhe iu vu flaka në Kodër Shupal nga djali i saj dhe shoku i tij. Trupi i pajetë u gjet më 16 maj 2017. Njëri prej të pandehurve ka pranuar krimin dhe bashkëpunon me drejtësinë.