Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka bërë një kërkesë drejtuar drejtorit të Burgjeve, ministrit të Drejtësisë, drejtuesit të SPAK. Blushi kërkon lejimin e telefonave dhe takimeve me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Gjithashtu kërkon rivendosjen e komunikimit me Ilir Metën dhe ndalimin e çdo mase të mëtejshme represive që nuk ka bazë ligjore.
Ankesa e sekretarit të Përgjithshëm të PL-së, Tedi Blushi:
Nr. Prot Tiranë, 2 korrik 2025
KËRKESË – ANKESË
Lënda: Për lejimin e takimeve dhe rivendosjen e lidhjes telefonike me Z. Ilir Metaj, i paraburgosur në IEPV ‘Jordan Misja’, Tiranë
Drejtuar: Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve,
Z. Klevis Qosja
Për Dijeni: Ministrit të Drejtësisë,
Z. Ulsi Manja
Drejtuesit të SPAK,
Z. Altin Dumani
Komisionit për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut,
Znj. Klodilta Bushka (Kryetare)
I nderuar Z. Qosja,
Në mënyrë arbitrare, pa asnjë njoftim paraprak, në shkelje të ligjit Nr. 81/2020 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve’, si edhe në shkelje të vendimit Nr. 209, datë 6.4.2022 ‘Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve’, prej datës 1 korrik 2025, Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metaj i është kufizuar e drejta e tij ligjore për të realizuar kryerjen e bisedave telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Kjo masë represive e pajustifikuar, e panevojshme dhe e paargumentuar, në shkelje totale të ligjit është vendosur pa asnjë sqarim dhe transparencë nga ana e administratës së IEPV ‘Jordan Misja’ edhe pse për regjistrimin e numrit tim telefonik, unë kam respektuar me përpikmëri të gjitha parashikimet ligjore.
Duke vlerësuar se kjo masë represive është një shkelje flagrante e ligjit, e Kushtetutës, e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, me pasoja të rënda në pengimin e qëllimshëm të aktivitetit politik dhe opozitar të Partisë së Lirisë, partia e dytë opozitare dhe forca e tretë politike në vend, kërkoj rivendosjen e menjëhershme të lidhjes telefonike me Presidentin e Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj, i cili ndodhet i paraburgosur në IEPV ‘Jordan Misja’.
Gjithashtu, dua t’u rikujtoj se në zbatimit të vendimit, datë 18 dhjetor 2024, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Z. Sotir Kllapi dhe Z. Arben Kraja, më është miratuar kërkesa për takim me Z. Ilir Meta, i paraburgosur në ambientet e IEPV ‘Jordan Misja’.
Në bazë të parashikimeve ligjore, kërkoj nga ana juaj të zbatohet ky vendim dhe të më mundësohen takimet me Z. Metaj, duke i mos njehsuar dhe llogaritur takimet e mia në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, me takimet e të afërmve të tij familjarë.
Dua t’ju vë në dijeni se edhe pse kam leje të posaçme nga SPAK për t’u takuar me Z.Metaj, kjo e drejtë më është mohuar disa herë nga administrata e IEPV ‘Jordan Misja’, që gjithashtu ka shkelur ligjin duke mos lejuar edhe deputetët e Partisë së Lirisë, por edhe deputetë e eurodeputë të takohen me Z. Metaj edhe pse ligji ua jep këtë drejtë pa autorizim paraprak nga prokurori.
Me besimin se kërkesë-ankesa ime ligjore do të pranohet nga ana juaj duke i dhënë fund masave të tilla ndaluese dhe represive që nuk kanë referencë ligjore, mbetëm në pritje të përgjigjes tuaj.
Me respekt,
Sekretari i Përgjithshëm
Tedi Blushi