Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi ka folur për zjarrin që ka përfshirë në fushën e mbetjeve. Himçi e ka quajtur atë si një fenomen i përsëritur dhe i organizuar.
Ai akuzon se zjarrvënia është e qëllimshme, si dhe sipas tij kjo është provë e vjedhjes së ngritur në sistem.
“Zjarri i rënë që prej ditës së djeshme në landfillin e Elbasanit është një tjetër provë se si vjedhja e ngritur në sistem po i kushton qytetarëve jo veten ne financa por edhe në shëndet dhe siguri jete. Në vend që mbetjet të digjeshin pak metra më tutje, në inceneratorin që ka kushtuar jo pak, por 26 milionë euro, dhe që qytetarët e paguajnë nga taksat e tyre pikërisht për këtë qëllim, zjarri, i cili duket se ka dalë jashtë kontrollit, përveçse akuzë për një qeveri të korruptuar që nuk ka lënë gjë pa bërë, tashmë po helmon gjithë Elbasanin.
Inceneratori i Elbasanit, që nga ndërtimi i tij në vitin 2017, nuk ka djegur asnjë ton plehra dhe nuk ka prodhuar asnjë kilovat energji. Por para po djeg pa fund. Vitin e kaluar, një kompani e afërt me Ramën fitoi tenderin e shpallur nga kompania shtetërore ‘Eco Alb’ për menaxhimin e mbetjeve në landfill, me vlerë rreth 400 mijë euro, duke u favorizuar jo pak nga Latja i Elbasanit.
Zjarri në landfillin e Elbasanit nxjerr në pah nevojën emergjente që Edi Rama kishte në këtë qytet për të vjedhur vota. E pra, duket qartë se Sara e Suel Çelës, Olsi i Vettingut, nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do jenë garancia e vjedhjeve dhe mbulimi i skandaleve në qytetin e Elbasanit, ashtu siç është edhe tymi i landfillit që prej dy ditësh po helmon familjet e këtij qyteti”, tha ai.