Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan, Bledi Himçi deklaroi sot se në landfillin e Elbasanit nuk po digjen vetëm materialet por edhe provat e parave që kanë kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve.
Himçi u shpreh se pas kësaj veprimtarie është një grup kriminal që vjedh paratë e taksë paguesve të Elbasanit dhe të shqiptarëve.
“Në atë landfill bëhet diferencim i materialeve, i kartonëve, plastikës, qelqit, aluminit, çfarë mund të gjenden nga kontrolli. Punojnë si skllevër ata njerëz atje.
Normalisht duhet të ishte një stok i këtyre materialeve. I vihet flaka për të thënë që u dogjën bashkë me ato, se janë shitur nga kompania ‘Eco-El’ dhe paratë kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve.
Këtu po digjen dhe provat. E dini se kur është vendosur zjarri.
Tre ditë përpara prokuroria e Elbasanit ka thirrur të gjithë punonjësit e ‘Eco-El’ dhe zjarrvënia është e qëllimshme.
Ka hetime nga prokuroria e Elbasanit për inceneratorin.
Punonjësit e ‘Eco-El’ janë thirrur dhe kanë dëshmuar para prokurorit dhe këtu nuk kemi të bëjmë më me çështje të një hetimi nga prokuroria e Elbasanit.
Ne këtu jemi para një krimi të organizuar dhe duhej ta hetonte SPAK. Është një grup kriminal që vjedh paratë e taksë paguesve të Elbasanit dhe të shqiptarëve”, tha Bledi Himçi në një intervistë në Syri Tv.