-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Malaj: Urdhri i papërgjegjshëm i Ramës të pezulluar menjëherë AKU-në

Kryesoret

Një Urdhër i Rrezikshëm dhe i Papërgjegjshëm. Urdhri për të pezulluar menjëherë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) është një akt jo vetëm joligjor, por edhe kërcënues për funksionimin e institucioneve dhe sigurinë ushqimore të qytetarëve. Kryeministri mund të pezullojë drejtues të AKU, por jo të mbyllë apo pezullojë të gjithë institucionin.

Nëse ka pasur abuzime apo dështime në këtë institucion, Kryeministri ka në dispozicion të gjitha strukturat përgjegjëse për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit individualë që kanë rrezikuar sigurinë ushqimore.

Ata duhet të japin llogari ligjërisht. Por pezullimi i institucionit, qoftë edhe përkohësisht, rrit rreziqet për shëndetin publik dhe ushqimin e qytetarëve.

Dy krahasime ilustruese:

Nëse ushtria nuk funksionon mirë në ruajtjen e kufijve tokësorë, zgjidhja nuk është pezullimi i ushtrisë. Një veprim i tillë do të rriste menjëherë rrezikun për sigurinë kombëtare.

Nëse një Kryeministër zbulohet se është i rrethuar nga “dardha-ngrënës” që e tradhtojnë apo abuzojnë me pushtetin, në vendet demokratike kërkohet dorëheqja e Kryeministrit – jo pezullimi i të gjithë shtetit. Por me mentalitetin anti-shtet të Ramës, gjithçka zgjidhet me akte arbitrare, që në fakt kërkojnë një reagim qytetar për vetë-qeverisje dhe përgjegjësi publike.

Duket se Kryeministri e ka nisur fushatën për zgjedhjet vendore të vitit 2017, por këtë duhet ta bëjë nga selia e Partisë Socialiste, jo duke abuzuar me aktivitetet dhe burimet e qeverisë.

Pikërisht ky është shqetësimi i shumë qytetarëve: se Shqipëria e shekullit XXI po qeveriset me një model partie-shtet, të ngjashëm me mentalitetin bolshevik, të cilin Majakovski e ka përshkruar me aq ironi dhe trishtim.

Zoti Kryeministër, mos u nxito!

Përdorni auditimin e brendshëm dhe strukturat antikorrupsion për të zbardhur rrënjët dhe përmasat e dështimit të AKU. Në këtë pikë, edhe unë e ndaj shqetësimin tuaj, por si profesionist, jam thellësisht kundër “zgjidhjes” suaj.

AKU funksionon mbi bazën e një legjislacioni evropian. Nuk ka dështuar institucioni, por keni dështuar ju me emërimet spontane dhe joprofesionale të drejtuesve në nivel kombëtar dhe lokal.

Keni dështuar me ndërhyrjet arbitrare dhe joligjore në institucionet kushtetuese dhe në agjencitë kritike për funksionimin e një ekonomie të drejtë dhe sociale – shpesh në funksion të oligarkëve, e jo të taksapaguesve.

Zoti Kryeministër, kuptoni këtë realitet:

Shumë nga ata që nuk ju kundërshtojnë hapur, nuk janë dakord me ju – por ju kanë frikë.

Shumë deputetë, që miratojnë çdo ligj antikushtetues që ju propozoni, janë të njëjtët që legalizojnë kate pa leje të kullave në Tiranë apo mbështesin grabitjen e mijëra metrave katrorë për resorte private.

Modeli i qeverisjes përmes frikës – ndaj parlamentarëve, medias, dhe qytetarëve – nuk është model demokratik. Është një qeverisje autoritare, madje në disa raste me tipare sulltanike.

Sugjerim profesional për ju:

Kërkoni një memorandum me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Bujqësisë, nga zyra juridike e Kryeministrisë. Konsultohuni me komisionet parlamentare. Dëgjoni ekspertë nga bota akademike në fushat përkatëse – përpara se të jepni urdhra arbitrarë, të mbushur me krenari mediatike, për pezullimin e institucioneve të ndërtuara me ligj dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Ditë të mbare!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit