Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një ekspozé në sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe në grupin parlamentar të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Portugali, ku ka denoncuar ashpër procesin zgjedhor të 11 majit në Shqipëri.
Ai e ka cilësuar këtë proces si një “farsë elektorale”, ku sipas tij, drejtimi i vendit nga Edi Rama ka sjellë një “narkoshtet” që kontrollon dhe manipulon votën e qytetarëve.
Në fjalën e tij, Berisha tha se ka paraqitur me fakte dhe dokumente prova për mënyrën se si u përdorën burimet shtetërore dhe financiare për të garantuar rezultatin zgjedhor në favor të mazhorancës.
Ai përmendi përdorimin e fondeve publike, organizimin e eventeve masive politike dhe ndërkombëtare, si dhe presionet dhe kërcënimet ndaj zgjedhësve përmes rrjeteve të patronazhistëve.
Berisha theksoi gjithashtu përdorimin e mekanizmave të dyshimtë si “treni bullgar” dhe manipulimin e votës së diasporës, duke kërkuar që institucionet ndërkombëtare të jenë të vëmendshme ndaj këtyre shkeljeve të thella demokratike.