Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka zhvilluar një takim me një përfaqësi maturantësh nga shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës.
Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i të rinjve për të zgjedhur Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë për studimet “Bachelor”.
Gjithashtu në takim u diskutua edhe për kriteret e pranimit në Akademinë e Sigurisë dhe mundësitë që të ofron ky studim.
“Policia nuk është thjesht një profesion, Policia është një mision, i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik. Qëllimi i këtij misioni është t’iu shërbesh qytetarëve, si dhe të mbrosh jetën dhe pronën e tyre. Nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë për t’iu shërbyer qytetarëve. Policia përherë ka nevojë për fytyra të reja, për energji të reja, për një imazh të ri. Ndaj ju ftoj që të zgjidhni Akademinë e Sigurisë! Zgjidhni Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin! Policia e Shtetit ju pret, Shqipëria ka nevojë për ju. Bashkohuni me ne, sepse siguria është mision që kërkon zemër! Tashmë Policia e Shtetit është më e konsoliduar, e mirëtrajnuar, e besueshme dhe e barabartë me policitë homologe. Gjithashtu, është më e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete logjistike bashkëkohore. Akademia e Sigurisë është e certifikuar nga Ministria e Arsimit, si dhe nga akademitë europiane dhe amerikane, me module të standardizuara ndërkombëtarisht”, tha Proda.