Deklaratat e fundit për Thaçin e Veselin, lidhjet e dyshimta dhe rreziku që i kanoset shtetit
Në një periudhë delikate politike dhe institucionale për Kosovën – kur përballet me sfida të mëdha të brendshme dhe të jashtme, nga bllokimi institucional e deri te dialogu i ngrirë me Serbinë, kur sfidat e brendshme janë në kulmin e tyre dhe presioni ndërkombëtar kërkon maturi e konsolidim të institucioneve – deklaratat publike të liderëve kanë peshë që shkon përtej debatit të politikës ditore.
Kështu, deklarimet e fundit të kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, për subjektin kryesor në politikën kosovare dhe dy nga ish-udhëheqësit më të rëndësishëm të luftës për liri, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk janë as të parëndësishme, as pa pasoja. Zgjedhja për të goditur jo vetëm opozitën, por edhe kujtesën historike të vendit përbën një precedent të rrezikshëm për mënyrën se si qeverisja aktuale përpiqet të legjitimojë veten përmes përjashtimit dhe denigrimit.
Në vend të maturisë shtetërore që kërkon momenti, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zgjodhi t’i rikthehet një diskursi që jo vetëm përjashton nga bashkëpunimi partitë tjera parlamentare, por rrezikon të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në një proces gjyqësor që zhvillohet jashtë vendit – në Hagë.
Në paraqitjen e tij në media, Kurti u shpreh me paranojë politike se: “PDK nuk është parti, është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara”, duke nënkuptuar një mungesë reforme të brendshme. Ai shtoi se ky subjekt “duhet të vizitojë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë për instruksione politike”, duke sugjeruar ndikim të vazhdueshëm të tyre në jetën politike të Kosovës dhe duke lënë të kuptohet po ashtu se këta të fundit vijojnë të ndikojnë në vendimmarrje.
Këto deklarata nuk janë të rastësishme. Ato nuk janë thjesht polemikë politike, por përpjekje për ta shndërruar një proces të diskutueshëm ndërkombëtar në vegël për përfitim të brendshëm politik. Por në vend që të ngrejë një reflektim institucional, Kurti i jep një interpretim personal një procesi gjyqësor ndërkombëtar dhe, në mënyrë të paprecedentë, bën të dukshme lidhjen ndërmjet politikës ditore dhe aktakuzave në Hagë. Dhe kjo është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e rrezikshme. Sepse kur një kryeministër i një vendi demokratik, në mënyrë publike, linçon se udhëheqësit historikë të vendit po japin “instruksione nga burgu”, kjo mund të interpretohet si legjitimim i tezave të aktakuzës dhe ndërhyrje e tërthortë në procesin gjyqësor në Hagë.
Nëse ndikimi politik i liderëve të UÇK-së në Hagë është real, atëherë ai është po aq i kuptueshëm sa vetë historia moderne e Kosovës. Fundja, më mirë të konsultohesh me ata që kanë bërë histori për historinë, sesa me rrjete të dyshimta që shfaqen sot si “këshilltarë të reformës dhe qeverisjes” – por që në fakt përbëjnë strukturën reale të pushtetit rreth Albin Kurtit.
Në vend që të flasë për ndërtim institucional, Kurti lufton simbolikisht kundër atyre që e ndërtuan shtetin. Kjo nuk është më as betejë për drejtësi, as për të ardhmen – është ngjizje e dorës së vet me dorën e akuzuesve, qofshin nga Shërbimi Sekret Serb, Prokuroria serbe dhe ruse, apo argatëve të tyre në Kosovë dhe në këtë qeveri e lëvizje politike, që kërkojnë ta barazojnë luftën e UÇK-së me krimet e Millosheviqit. Dhe kur kjo ndodh nga kryeministri i një shteti që ende pritet të kërkojë drejtësi për masakrat dhe dhunën sistematike ndaj popullit të vet, nuk është më as gabim politik – është akt i rëndë historik.
Jo, nuk bëhet politikë me njerëz që janë në burg prej pesë vitesh, të cilët luftuan për lirinë dhe shtetin që sot Kurti e përfaqëson pa pasur asnjë kontribut për të. Ajo që po ndodh në Hagë, për shumëkënd në Kosovë, po përjetohet si pengmarrje, jo si drejtësi, dhe çdo deklaratë që ushqen atë narrativë është akt që i shërben palës tjetër.
Kurti, jo rastësisht, ndodhet i rrethuar nga lidhje të dyshimta – për të cilat po flitet hapur tashmë, për oficerë serbë, emisarë grekë dhe “arkitektë” politikbërës të LVV-së me të kaluar të dyshimtë.
Deklaratat për Thaçin e Veselin do të ishin më pak shqetësuese nëse nuk do të përsëriteshin si propagandë fajësuese dhe denigruese nga struktura e pushtetit që ka ndërtuar rreth vetes Kurti. Sepse në vend të atyre që kanë histori për këtë vend, ai ka zgjedhur të përqafojë një rreth të përbërë nga emra me të kaluar dhe lidhje të errëta.
Prej kohësh është dokumentuar prezenca në rrethin e tij të ngushtë e individëve me lidhje me Agjencinë Ushtarake Serbe (VBA), apo me rrjete greke të ndikimit, si dhe persona të shpallur “non grata” nga vetë institucionet e Kosovës për përbërje të rrezikut për sigurinë nacionale. Më emblematik është rasti i Dejona Mihalit, që nga “e padëshiruar” apo “non grata” me vendim të Qeverisë në vitin 2014, prej ardhjes në pushtet të LVV-së dhe Kurtit, është shndërruar në arkitekte të politikave qeverisëse të Vetëvendosjes – një fakt që alarmon çdo njeri që ka ndjesi për shtetësinë e Kosovës.
Në një vend të vogël si Kosova, kjo nuk është një çështje retorike. Siguria kombëtare nuk është luks institucional, por domosdoshmëri mbijetese.
Nëse përreth kryeministrit ndodhen njerëz me lidhje të hapura me inteligjencën serbe apo me rrjete ndikimi greke, atëherë çdo heshtje nuk është më neutralitet – është tolerancë e qëllimshme apo bashkëfajësi. Dhe çdo tolerancë ndaj një rrethi të tillë është rrezik për sovranitetin e vendit, për orientimin euroatlantik dhe për besimin e aleatëve strategjikë. Kjo nuk është çështje morali politik – është çështje mbijetese shtetërore.
Kur dështimi në Prishtinë maskohet me kriza në veri, është tregues i mësimeve të mësuara nga shkolla e vjetër, të cilën Kurti e ka ndjekur si rekrut dhe tani si politikan bashkë me strukturën përreth tij – nga kryekëshilltari për dialogun, deri te pothuaj secili anëtar i qeverisë, deputetë dhe kabinetarë.
Të gjithë tashmë e kanë kuptuar modelin politik të Kurtit: kur qeverisja dështon në Prishtinë, shpik një krizë në veri. Nga dështimet në dialog, bllokimi i Kuvendit për mungesën e shumicës funksionale dhe izolimi diplomatik, ndërtimi i lagjeve, urat, misionet “sovrane” – gjithçka maskohet me tensione të inskenuara në veri që i shërbejnë si perde tymi për dështimet në proces.
E njëjta taktikë përdoret edhe kur ka krizë në Beograd dhe rrezikohet pozita politike e lidershipit serb atje. Prandaj edhe iniciativat e pakoordinuara me aleatët, apo që kritikohen nga ata si veprime, bëhen për të shpëtuar Vuçiqin duke e tërhequr vëmendjen e demonstruesve agresivë serbë që po protestojnë kundër pushtetit në Beograd drejt Kosovës – në veriun e saj fragjil.
Por veriu nuk është shesh lojërash politike dhe propagande. Veriu është territor me status të veçantë të sigurisë ndërkombëtare. Çdo veprim institucional atje është i kufizuar nga Neni 153 i Kushtetutës së Kosovës, i cili e vendos mandatin e Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake (KFOR) mbi çdo autoritet vendor. Ky nen e thotë qartë:
“Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka juridiksion të rishikojë, të pakësojë ose përndryshe të kufizojë mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.”
Çdo veprim i njëanshëm është jo vetëm antikushtetues, por degradon kredibilitetin institucional të Kosovës përpara aleatëve të saj.
Kjo politikë tensioni e Kurtit në Veri, është vetëm teatër për popullin dhe pengesë për shtetin. Sa më shumë flitet për “rrezikun nga veriu”, aq më pak diskutohet për realitetin në jug: për mungesën e reformave reale, për emërimet klienteliste, për mungesën e dialogut dhe rritjen e korrupsionit institucional. Dhe për këtë realitet, ai ka shpikur edhe një armë tjetër: etiketa. Nga “analfabetë funksionalë” për ata që e besojnë dhe e votojnë – kategoria që kan kaluar nëpër procesin e “xi-nao” apo trushplarja komuniste kineze, deri te kualifikimi “kriminelë politikë” për të gjithë spektrin politik – e me theks liderët e luftës dhe partitë që dolën nga ajo – Kurti po i ushqen qytetarët me një luftë hibride me gënjeshtra, ku kundërshtari nuk sfidohet me ide, por shkatërrohet me propagandë.
Pyetja që nuk mund të heshtet më është: kah po e çon Kosovën Albin Kurti?
Nëse politika e tij ndërtohet mbi përjashtime historike të dirigjuara politikisht në jug, mbi komplekse personale ndaj luftëtarëve të lirisë, mbi kriza të fabrikuara në veri dhe mbi aleanca me individë që janë përjashtuar si “non grata” me vendim shtetëror për shkak të rrezikut për shtetin, atëherë jemi jo në rrugën e reformës, por në rrugën e zhbërjes së shtetësisë.
Atëherë pyetja është më shumë se legjitime se: Ku po e çon Kosovën kjo qeveri? Dhe a është ai i gatshëm të pastrojë rrethin e tij nga figura të rrezikshme, të bëjë një ndarje të qartë me strukturat që minojnë sigurinë dhe të ndërtojë një shtet mbi konsensus, e jo mbi frikë dhe përçarje?
Kjo nuk është thjesht krizë politike. Kjo është krizë legjitimiteti. Nëse Kurti do të mbetet i kujtuar për diçka, atëherë jo për ndonjë reformë thelbësore, por për atë që shumë e shohin si zëdhënës i agjendave që nuk ia duan të mirën këtij vendi.
Kosova nuk mund të qeveriset nga një qeveri që ndërton legjitimitetin mbi përjashtimin e luftëtarëve të saj dhe bashkëpunimin me individë të njohur për lidhje me shërbime të huaja. Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë “Quo vadis, z. Kryeministër?” – nuk është më pyetje e një zëri kritik. Është pyetje që shpreh shqetësimin kombëtar.
E ardhmja nuk ndërtohet duke përjashtuar themeluesit e saj historikë, dhe as duke përqafuar njerëz që i kanë minuar themelet e shtetit.
E ardhmja, ndërtohet me institucione të forta, me siguri kombëtare të pakompromis dhe me aleanca të pastërta.
Z. Kryeministër, nëse keni ende një mundësi historike, ajo nuk qëndron në luftën me të kaluarën – por në ndarjen e prerë me rrjetet që e minojnë të ardhmen. Kosova nuk mund të udhëhiqet nga hijet e agjenturave të armiqëve, ndërsa luftëtarët e saj mbahen në burg dhe përdoren si pretekst për përfitime të vogla ditore.
Z. Kurti ka ende mundësinë të bëjë zgjedhjen e duhur: të ndahet nga rrjetet që e rrethojnë dhe të dalë hapur për Kosovën – për të vërtetën, për aleatët dhe për historinë.