Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Nga mëngjesi deri në orën 14:30 janë raportuar 9 vatra zjarri, ku 5 janë shuar dhe 4 janë akoma aktive.
Zjarret aktive janë në qarkun Vlorë, Elbasan, Kukës dhe Tiranë. Ndërkohë po vijon puna për shuarjen e flakëve pasi në disa zona ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.
Vatrat aktive:
Qarku Vlorë
Midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri i rënë më datë 01.07.2025 vazhdon të jetë aktiv në Malin e Shedenikut mbi fshatin Malcan, në një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të largët dhe të pamundur për tu arritur në këmbë. Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
Qarku Elbasan
Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Sipas drejtiesit te operacionit situata duket pak me mire se ditën e djeshme. Kryesisht vatra e zjarrit është në pjesën perëndimore aty janë përqendruar edhe mjete zjarrfikese.
Qarku Kukës
Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, vazhdon të jetë aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren, janë angazhuar për shuarjen e tij:10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 5 forca të Mzsh Has me 1 automjet, 4 forca policore, 7 forca bashkiake dhe 10 vullnetarë. Terreni i vështirë dhe era e mbajnë zjarrin aktiv.
Qarku Tiranë
Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Në vendngjarjë ka operuar 1 helikopter Cougar, i cili ka bërë të mundur izolimin e tij. Në zonën e zjarrit po punojnë 20 forca zjarrfikëse, si dhe 20 forca të APR-së së bashkisë Tiranë, të cilat vijojnë me mjete rrethanore dhe ato individuale për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit. Zjarri është nën kontroll.