Komuna e Drenasit ka njoftuar se zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin në malin e Goleshit. Gjithashtu njoftojnë se janë duke e mbajtur nën kontroll dhe në një zjarr tjetër në një fshat të komunës.
Goleshi, një mal në Kosovën qendrore me një lartësi mbidetare prej 1.019 metrash u përfshi nga zjarri të premten gjatë ditës.
“Në ndihmë të zjarrfikësve tanë në Golesh, kanë arritur edhe zjarrfikësit nga Prishtina, duke forcuar përpjekjet për të përballuar situatën dhe shmangur përhapjen e mëtejme të zjarrit”, tha komuna.
Në njoftim thuhet se zjarrfikësit në bashkëpunim me qytetarët e mobilizuar e kanë vënë nën kontroll zjarrin në fshatin Gjurgjicë.
“Angazhimi, guximi dhe përkushtimi i tyre janë shembull frymëzimi. Në temperatura të larta dhe kushte të vështira, ata po mbrojnë jetën dhe pronën me vendosmëri të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e komunës.