Në Theth po vijon edhe këtë të martë puna e IKMT-së për heqjen e objekteve të paligjshme. Janë mbi 40 subjekte ku do të ndërhyhet, ndërsa aktualisht po pastrohet “Fshati Turistik” ngjitur me kishën e Thethit.
Aksioni i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) nisi të hënën në Theth, ku po largohen objektet e denoncuara edhe nga kryeministri si të vendosura në paligjshmëri.
Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër një prokurore të Shkodrës Elsa Gjeli dhe kërkoi të merren masa ndaj saj, me arsyetimin se ajo nuk kishte hapur çështje penale pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit.
Mediat publikuan emrin e ndërtuesit të fshatit turistik në Theth që u denoncua nga kryeministri Edi Rama si ndërtim pa leje dhe që pasuan një përplasje me Prokurorinë e Shkodrës. Kabinat thuhet se janë në pronësi të Prek Kodrës, një personazh i njohur për drejtësinë.
Në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se ai kishte planifikuar vrasjen me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë.