E ardhmja e Denzel Dumfris te Interi mund të përcaktohet brenda pak ditësh, pasi klauzola e lirimit prej 25 milionë eurosh skadon më 15 korrik. Pas një sezoni të shkëlqyer me 11 gola dhe 5 asistime, mbrojtësi i djathtë holandez ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha.
Pasi Barcelona u tërhoq për shkak të kufizimeve financiare, në garë ka hyrë fuqishëm Manchester City, që kërkon zëvendësuesin e Kyle Walker. Dumfris shihet si profili ideal nga Guardiola, ndërsa çmimi konsiderohet i arsyeshëm për kampionët e Anglisë.
Në rast largimi, Interi po sheh nga Dodo i Fiorentinës si alternativë të mundshme. Braziliani është nën kontratë deri në 2027, por bisedimet për rinovim janë pezull.
Java e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e Dumfris, i cili mbetet një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos.








