Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu është kryer me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas saj, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) është duke punuar me përkushtim për të përfunduar sa më shpejt raportin e autopsisë.
“IML-ja është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë”, tha Haxhiu.
Ajo sqaroi se deri më tani Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast. Ministrja theksoi rëndësinë e zbardhjes së plotë të rastit dhe informimit të drejtë të opinionit publik mbi të gjitha të gjeturat zyrtare.