Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas një njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe bashkëpunimin në shumë fusha, e në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.
Gjatë takimit, ambasadori Rohde u interesua për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që presin miratim.
Me këtë rast, kryeministri theksoi nevojën dhe rëndësinë që konstituimi i legjislaturës së nëntë të përmbyllet sa më shpejtë me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit.
Ai numëroi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra për konstituimin e Kuvendit duke përfshirë edhe takimin me liderët e partive politike në kuvend dhe takimin e ftuar nga presidentja e vendit, në kuadër edhe të vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri foli edhe për kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës që u regjistrua gjatë fundjavës që shkoi.
Ai theksoi faktin se institucionet e sigurisë kanë vërtetuar se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS, duke konfirmuar kështu që origjina e kërcënimit është në Serbi.
Kryeministri falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. /Kosovapress/