Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që konfirmoi masën e “arrestit me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë ardhur reagimet e para nga ekipi i tij ligjor ndërkombëtar.
Në një deklaratë të përbashkët, dy prej firmave më të njohura ligjore në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar – “Kasowitz LLP” dhe “Mishcon de Reya” – theksojnë se ndalimi i Veliajt është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë ligjor.
“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj, pa një akuzë të qartë dhe pa shqyrtuar masat alternative, është në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe me parimet themelore të shtetit ligjor”, thuhet në deklaratë.
Avokatët shprehen se janë në pritje të zbardhjes së vendimit të plotë nga Gjykata e Lartë, por nënvizojnë se do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore për ta ndjekur çështjen në instanca ndërkombëtare.
“Rasti i Veliajt është shembull i një procesi që ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të individit në sistemin shqiptar të drejtësisë”, shtuan ata.
Ky reagim vjen në një kohë kur çështja ka shkaktuar debat të fortë në opinionin publik dhe politikën shqiptare.