Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur optimizëm për një marrëveshje të mundshme armëpushimi me Hamasin, e cila do të përfshijë edhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës.
Në një intervistë për rrjetin Fox Business, Netanyahu tha se “ka një mundësi të mirë që të kemi një armëpushim,” duke shtuar se bisedimet po zhvillohen intensivisht në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së.
Sipas burimeve izraelite, një nga çështjet që pengon marrëveshjen është kërkesa e Tel Avivit për të mbajtur praninë ushtarake në një zonë strategjike në jug të Gazës – konkretisht në Korridorin Morag, pranë Rafahut.
Pavarësisht negociatave, Netanyahu e bëri të qartë se Izraeli nuk do të heqë dorë nga prania ushtarake në këtë territor edhe nëse arrihet një ndalim i përkohshëm i luftimeve.
Duke folur për qasjen e tij politike, Netanyahu theksoi se “paqja në rajon arrihet përmes forcës”, duke vlerësuar aleancën me ish-presidentin Donald Trump dhe mbështetjen ndaj “doktrinës së paqes përmes forcës”.
Sipas tij, ky qëndrim ka dhënë rezultat dhe mund të ndihmojë në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, duke krijuar më shumë stabilitet dhe zhvillim në Lindjen e Mesme.