Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi në një takim privat me donatorë se kishte kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me “bombardim të Moskës” nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjeve të fondeve në New York dhe Florida, ndërsa audioja u publikua për herë të parë nga CNN.
“Nëse hyni në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën deri në fund. Po ju them se nuk kam zgjidhje tjetër,” thuhet të ketë thënë Trump në audio, duke shtuar se Putini “më besoi 10%”.
Në të njëjtin takim, Trump pretendoi se kishte bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe ndaj presidentit kinez Xi Jinping për Tajvanin, duke i thënë se SHBA-të do të bombardonin Pekinin në rast të një pushtimi. “Ai mendonte se isha i çmendur,” shtoi ai, duke theksuar se “nuk kemi pasur ndonjë problem”.
Këto deklarata u bënë në kuadër të përpjekjes së Trump për të bindur donatorët e pasur ta mbështesin në garën për një mandat të dytë presidencial. Ai vijon të pretendojë se nëse do të ishte në pushtet, luftërat në Ukrainë dhe Gaza do të ishin shmangur.
Fushata e Trump ka refuzuar të komentojë mbi përmbajtjen e audiove, ndërsa vetë Trump u shpreh së fundmi se është “shumë i pakënaqur” me Putinin për deklaratat e tij të fundit ndaj SHBA-së.