Gentian Berberi është komanduar drejtori i ri i Policisë së Shkodrës pas shkarkimeve që njoftoi Ilir Proda që erdhën për shkak të ndërtimeve pa leje në Theth. Ai aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë së Kukësit. Policia e Shtetit vendosi të shkarkojë nga detyra Fatmir Lleshin, drejtorin e policisë Shkodër dhe shefin e komisariatit, Nik Nikolla. Gjithashtu u mor vendimi për pezullimin nga detyra të shefit të Stacionit të Thethit.
“Prandaj kam vendosur të shkarkoj nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër. Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë.
Por ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti!”, shprehet Proda.
Për tre ditë IKMT-ja ka vijuar me aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, ku ditën e djeshme, 9 korrik, ndryshe nga dy ditët e para, ata janë përplasur me banorët dhe pronarët e bujtinave, objektet e të cilave janë kategorizuar si të paligjshme.
Ndërtimet pa leje/ Shkarkohen nga detyra drejtuesit e policisë Shkodër