Ish-presidenti Yoon Suk Yeol është vënë sërish në paraburgim pas një urdhri arresti nga Gjykata e Seulit, lidhur me hetimet për shpalljen e gjendjes ushtarake në dhjetor të vitit të kaluar. Ky vendim i tij shkaktoi një krizë politike dhe u anulua pas disa orësh nga parlamenti.
Hetimet e reja e përfshijnë Yoon-in me akuza për shpërdorim detyre dhe pengim të funksionimit të institucioneve shtetërore. Ai dyshohet se urdhëroi përdorimin e forcës për të penguar deputetët që të anulonin gjendjen ushtarake dhe për të arrestuar figura të opozitës.
Avokatët e tij mohojnë akuzat, duke thënë se hetimi është politik dhe i padrejtë. Yoon ishte presidenti i parë në vend që u arrestua ndërkohë që ishte në detyrë dhe më pas u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese për veprimet e tij.








