Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti ka folur për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Teliti tha se Thethi do të përfundojë në duart e investitorëve strategjikë ose oligarkëve të lidhur me qeverinë.
“Sot hyri në fuqi ‘Paketa e maleve’ dhe atje mesa duket në mendjen e qeveritarëve, të kryeministrit apo dikush tjetër do na dali tashmë me aplikim sipas ligjit të ri të ‘Paketës së Maleve’, ndonjë ose disa investitor strategjik, që do bëjnë zëvendësimin e këtyre godinave që u prishën tashmë, me godina të reja, më të bukura ndoshta nga ana e syrit, por ama është vetëm një zëvendësim dhe vendimmarrje e bazuar në interesa jo zhvillimore”, tha Teliti.
Teliti u shpreh se kushdo që gëzon statusin e investitorit strategjik mund t’a marrë pronën përmes procedurave që përfshijnë shtetëzimin dhe kompensimin.
“Po aty do të ndërtohen, sepse ‘Paketa e Maleve’ bashkë me ligjin e investimeve strategjike e dinë shumë mirë këta që ta shpronëson. ‘Paketa e Maleve’ është e gërshetuar me ligjin e Investimeve Strategjike. Në momentin që vjen Investitori Strategjik me statusin e tij, të merr tokën tënde, të time, pronën e babës, prej tre shekujsh ta kesh ti edhe të stërgjyshit tënd. Ta merr, ta shtetëzon, të jep kompensimin dhe vazhdon puna. Koha do të flasë dhe fatkeqësisht koha na ka dhënë të drejtë”, tha ai.