Tenisti italian Jannik Sinner është shpallur kampion i Wimbledon 2025, duke fituar për herë të parë këtë grand slam prestigjioz në fushë me bar. Në finalen e zhvilluar në Londër, Sinner triumfoi me rezultat 3-1 ndaj spanjollit Carlos Alcaraz (4-6, 6-4, 6-4, 6-4), në një ndeshje të dominuar nga kthesat taktike dhe intensiteti.
Pas humbjes së setit të parë, Sinner u rikthye fuqishëm, duke kontrolluar ndeshjen me një lojë të saktë dhe të matur, për të rrëmbyer tre setet e tjera me nga një break në secilin.
Kjo është fitorja e parë e italianit në Wimbledon dhe një hakmarrje sportive ndaj Alcaraz, pas disfatës që pësoi ndaj tij në finalen e Roland Garros më herët këtë vit.
Sinner, numri 1 aktual në renditjen botërore, arriti të ruajë qetësinë në momentet kyçe, veçanërisht në lojën fundore, duke mos i dhënë mundësi rikthimi rivalit të tij, që mbronte titullin e fituar në dy edicionet e mëparshme.
Me këtë sukses, 22-vjeçari italian forcon pozitat si lider në tenis dhe shënon një kapitull të ri në karrierën e tij, duke fituar titullin më të rëndësishëm në fushat me bar.