Kryeministri Edi Rama në një intervistë për dokumentarin mbi bektashizmin të gazetarit britanik Robert Hackman ne Dritare Tv tha se mikroshteti bektashi që ai shpalli në Kombet e Bashkuara do të ngrihet në territorin ku ndodhet aktualisht Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në Tiranë.
“Është vetëm një sipërfaqe e vogël toke, pak hektarë, që ata tashmë e zotërojnë dhe ku kanë qendrën e tyre. Por për Shqipërinë është një pjesë shumë e çmuar e trashëgimisë kombëtare, ndërsa për komunitetin është një garanci që ai do të vazhdojë të ekzistojë pa u zhdukur,” u shpreh Rama.
Kryeministri tha se kjo nismë është një mënyrë për të mbrojtur dhe ruajtur një nga thesaret më të çmuara shpirtërore të Shqipërisë.
“Bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera fetare, bektashinjtë nuk kanë përkrahje ndërkombëtare dhe janë të vetmuar në përpjekjen për të mbijetuar. Duke u dhënë një status të veçantë, i japim një garanci ekzistence.”, tha Rama.