Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos vlerësoi shpejtësinë në zbatimin e reformave të integrimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Aktualisht, ne po shohim shumë reforma në zhvillim e sipër në vendet kandidate. Shqipëria dhe Mali i Zi e kanë kuptuar se për to është hapur një dritare mundësie. Ato po ecin shumë shpejt në rrugën e reformave të integrimit evropian.
Nëse Mali i Zi ecën me të njëjtën shpejtësi në zbatimin e reformave siç ka bërë deri më tani, ne mund t’i përfundojmë negociatat teknike me këtë vend deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë, ne mund të arrijmë finishin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Në këtë mënyrë, këto dy vende do të jenë në gjendje të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së brenda mandatit të këtij Komisioni Evropian,” tha Kos.