Kongresisti amerikan Ritchie Torres, në cilësinë e bashkëkryetarit të Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe përfaqësues i komunitetit të gjallë shqiptar në Bronks, ditë më parë pati një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Takimi, theksoi aleancën e fortë mes dy vendeve dhe rëndësinë strategjike të Kosovës si një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të madh në Ballkanin Perëndimor sesa Kosovën”, shkroi Torresi në “X”. Presidentja Vjosa Osmani ka pohuar se është gjithmonë kënaqësi takimi me të.
“Mirënjohës për përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Takimi vjen në një moment kur bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës mbetet jetik për stabilitetin në rajon dhe avancimin e proceseve euroatlantike të Prishtinës.
Torresi ka qenë një nga zërat më të fortë në Kongres në mbështetje të çështjeve shqiptare dhe posaçërisht të Kosovës.