Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim zyrtar në Ankara me Kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Numan Kurtulmuş.
Gjatë këtij takimi, Spiropali theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, duke fokusuar veçanërisht marrëdhëniet mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë.
Në fjalën e saj, Spiropali shprehu shqetësimin për sigurinë dhe paqen në një botë të përballur me shumë konflikte dhe theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe:
“Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin botës siguri e paqe të cilat janë të nevojshme në çdo kohë, por janë të një rëndësie kritike në kohën që jetojmë kur retë e luftës, nuk janë më në horizont por rrotull vendeve tona. Ne ramë dakord ta intensifikojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare si në nivelet më të larta ashtu edhe mes komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve si edhe të mbështetjes së kandidaturave respektive në organizatat kombëtare shumëpalëshe.”








