Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë, ku një grua dhe i dashuri i saj dyshohet se kanë organizuar vrasjen e ish-bashkëshortit të saj një profesor polak në Agia Paraskevi.
Hetimet kanë zbuluar se autori i krimit së bashku me dy shqiptarë dhe një bullgar përdorën një Porsche Cayenne për të ndjekur dhe qëlluar viktimën me pesë plumba.
I dashuri i gruas, 35-vjeçar, ka pranuar se e kreu vrasjen për të qetësuar të dashurën, e cila kishte frikë nga ish-burri i saj.
Gjatë rrëfimit të tij, ai e mori gjithë përgjegjësinë, por hetimet tregojnë se krimi ishte i organizuar nga gruaja e viktimës. Pas ngjarjes, ajo ka fshirë telefonin dhe ka hequr provat, por policia ka gjetur një foto të viktimës që ajo kishte bërë në momentin e vrasjes.
Autori i krimit dhe tre bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar dhe akuzohen për vrasje dhe bashkëpunim në krim, ndërsa dy shqiptarët dhe bullgari dyshohet se e kanë ndihmuar vetëm për të terrorizuar dhe rrahur viktimën, pa qenë të vetëdijshëm për vrasjen që do të ndodhte.