Njohës të ekonomisë në Kosovë kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Safet Gërxhaliu kritikon ashpër institucionet vendore për, siç tha mungesë të vizionit dhe dështim për të avancuar proceset ekonomike e diplomatike.
“E para është një turp i kohës për Kosovën, që një shtet shpëtimtar, një aleat strategjik, cfarë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë të penalizuara me një taksë 10 për qind për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dyta e tëra kjo e dëshmon papjekurinë institucionale në Kosovë.
E treta, e tëra kjo e dëshmon që në Kosovë është varrosë definitivisht diplomacia, qoftë politike, e në veçanti ajo ekonomike.
Dhe nuk mund të pritet diplomati efektive qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin ekonomik, në qoftë se kemi i një ministri të punëve të jashtme e mbuluar, apo e ngarkuar me politikanë të padijshëm, të cilët vërtet shumë më tepër dëmtojnë sesa që avancojnë këto procese.
Ka qenë një tentativë vetëm më tepër gojore nga Presidenca që kjo taksë duhet të hiqet. Mirëpo në realitet nuk ka ndodhë asgjë.
Ajo që është më shqetësuese për ardhmërinë e Kosovës është heshtja politike, ekonomike edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe vendeve evropiane, po edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor”, thotë Gërxhaliu./ KosovaPress