Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, ku 9 janë ende aktive. Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë.
Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.
Vatrat e zjarrit aktive:
-
Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.
-
Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
-
Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.
-
Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.
-
Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.
-
Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.
-
Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.
-
Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.
-
Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.