Në një artikull të botuar 150 vite më parë në Londër, më 23 korrik 1875, në Pall Mall Budget, si dhe në librin e tij “The Eastern Question”, autori dhe politikani britanik i Partisë Konservatore Henry Munro-Butler-Johnstone, paraqet një analizë të thellë dhe mjaft të qartë për situatën politike në Perandorinë Osmane. Ajo që e bën këtë libër veçanërisht të rëndësishëm për historinë tonë, është mënyra sesi ai flet për Ismail Qemal Bej Vlorën, njeriun që më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Johnstone e përmend Ismail Qemalin si një nga shtetarët më të ndershëm dhe më efikas që kishte parë Lindja, përkrah figurave të njohura si Mid’hat Pasha dhe Ahmet Vefik Efendi (të dy shërbyen për pak kohë si kryeministra). Fjalët e politikanit britanik marrin kuptim akoma sot: “…Dhe është një shenjë shprese për Turqinë fakti që të tre këta burra janë ende gjallë dhe në kulmin e aftësive të tyre mendore. Turqisë nuk i mungojnë burrat e zotë dhe të ndershëm; ajo që i mungon është vullneti i qeverisë për t’i vënë ata në shërbim të vendit…”
Në pak kohë, si guvernator në Tulça (Tulcea, një provincë osmane në Rumaninë e sotme), Ismail Qemali, vetëm 31 vjeç, kishte arritur të sillte mirëqenie dhe të rriste ndjeshëm të ardhurat përmes një administrimi të drejtë dhe transparent. Kjo është një dëshmi historike e jashtëzakonshme për aftësitë shtetformuese të tij, shumë kohë përpara se ai të bëhej lideri i lëvizjes kombëtare shqiptare.
Shkrimi gjithashtu hedh dritë mbi një realitet që shpesh neglizhohet nga historiografia. Problemet në Lindje nuk vinin nga popujt apo nga sistemi në vetvete, por nga korrupsioni dhe paaftësia e administratës qendrore. Këtu merr kuptim thënia, “peshku qelbet nga koka”. Kjo vlen ende si një mësim politik për realitetin e sotëm.
I rëndësishëm është edhe vlerësimi që autori britanik i bën vetë shoqërisë osmane, të bashkuar në ndjenja dhe interesa, por të sabotuar nga një elitë shtetërore që përfaqësonte vetëm vetveten. Në këtë kontekst, figura si Ismail Qemal Vlora shfaqen si përjashtime shpresëdhënëse, të cilat tregojnë se me udhëheqës të drejtë, përparimi ishte i mundur.
Sot, kur hedhim sytë pas në kohë, këto shkrime na shërbejnë si një dëshmi e hershme ndërkombëtare për vizionin, karakterin, integritetin dhe aftësitë e Ismail Qemal Vlorës. Shumë kohë përpara se Shqipëria të bëhej shtet, ai ishte një burrë shteti i njohur dhe i respektuar, përtej kufijve të Perandorisë Osmane.
Për historinë dhe identitetin shqiptar, këto dëshmi janë gurë të çmuar që meritojnë të njihen dhe të promovohen më gjerësisht. Ato na kujtojnë se lidershipi me integritet ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë çelësi i ndryshimit.
- Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Dr. Evarist Beqiri).