Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës së Kroacisë me anë të një raporti thotë se përshkallëzimi i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.
Sipas inteligjencës kroate, klima e pasigurisë ndikon drejtpërdrejt në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ecën me ritme të ngadalta. Në raport përmendej edhe sulmi i armatosur i formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.
Ndërsa për Millan Radoiçiçin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi.
Raporti i inteligjencës kroate përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.
“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon Agjencia e Inteligjencës Kroate.