Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka zhvilluar një mbledhje urgjente në Prefekturën e Dibrës në lidhje me zjarret që kanë përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës.
Vengu ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm koordinimi për të garantuar menaxhimin sa më të mirë të situatës emergjente deri në shuarjen e plotë të flakëve. Ai theksoi se zonat e banuara nuk janë në rrezik.
“Sot patëm edhe një emergjencë përsa i përket dy barinjve që gjendeshin afër zonave të zjarreve në Lurë, pas njoftimit pranë Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe forcat e bashkisë ndërhynë në kohë dhe mundësuan shpëtimin e tyre dhe të bagëtive të tyre dhe rikuperimin për t’i sjellë brenda një perimetri sigurie. Ky operacion u përmbyll me sukses dhe tashmë të gjitha përpjekjet janë përqëndruar në mënyrë që perimetri mos të zgjerohet më tej ditën e nesërme. Do jenë ditë të vështira, termometri tregon temperatura ekstreme për gjithë pjesën e mbetur të javës, siç është realitet dhe në gjithë rajonin e Mesdheut, ndaj kërkojmë vigjilencë maksimale, monitorim në kohë reale dhe njoftim në kohë reale. Gjithë banorëve të zonave rurale u kërkojmë që të zbatojnë udhëzimet e Prefekturës, të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për masat mbrojtëse që të evitojnë kullotjen e bagëtive në zona me risk gjatë kësaj periudhe”, tha Vengu.