Deputetja Jorida Tabaku ka reaguar ashpër ndaj mbledhjes së Komisionit të Ligjeve të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Tabaku e cilëson atë si një shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Sipas saj, komisionet parlamentare nuk mund të mblidhen pas përfundimit të sesionit parlamentar, përveç rasteve të jashtëzakonshme apo fatkeqësive natyrore.
“Kjo sjellje është një paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët.
Në asnjë dokument të BE-së nuk është pranuar ndonjëherë që roli i opozitës të zëvendësohet me struktura pseudo-bipartizane. Përkundrazi, për herë të parë në raportet e BE nënvizohet rëndësia e bashkëndarjes së detyrave mes qeverisë dhe opozitës si dëshmi e gjithëpërfshirjes dhe shmangies së patronazhimit nga shumica.
Nëse duam të jemi vërtet pro integrimit dhe jo vetëm në letër, atëherë duhet një angazhim i ndershëm dhe serioz. Jo një përpjekje për të kënaqur egot personale të atyre që kanë humbur legjitimitetin dhe kërkojnë rrugë anësore për të qëndruar në tryezën e pushtetit.”, shprehet Tabaku.