Ministria e Drejtësisë ka prezantuar sot draftin e ri të Kodit Penal, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik. Gjatë fjalës së tij, ministri Ulsi Manja theksoi se ky draft nuk është produkt i qeverisë apo i Ministrisë, por i një grupi të pavarur ekspertësh të njohur të fushës, i ngritur në shkurt të vitit 2023 nën drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.
“Ky nuk është një produkt i qeverisë apo i Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi pasur dhe do të kemi deri në fund vetëm një rol organizues dhe mbështetës. Autorësia dhe përmbajtja teknike i përkasin plotësisht grupit të punës”, tha Manja.
Manja theksoi se kodi aktual penal nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, ndaj riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pashmangshëm.
Ai sqaroi se ky draft i ri është i hapur për diskutim dhe se nuk do të jetë përfundimtar pa kaluar më parë nëpër filtrin e konsultimeve. Ministri bëri një ftesë të drejtpërdrejtë për përfshirje në këtë proces.
“Dua të ftoj profesionistët e ligjit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, institucionet e drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe një ftesë të veçantë për opozitën parlamentare, opozitën e vendit tim, që të kontribuojnë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit.”
“Në BE shkon Shqipëria, jo vetëm një forcë politike. Mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”.
“Kodi është aktual funksional që në vitin 1995, kodi i ri nuk është një çështje politike, por e një shoqërie që evoluon dhe integrohet. Kodi aktual kishte 285 nene e 550 paragrafe dhe aktualisht janë bërë 30 ndërhyrje dhe ka 327 nene.
Kodi i ri baze ka kushtetutën e vitit 1998. Procesi i integrimit kërkon kod penal me atë të Bashkimit Evropian. Grupi i punës nisi nga z.Rakipi në vitin 2019. Drafti nuk është produkt i qeverisë apo Ministrisë së Drejtësisë.
Ne kemi rol organizues e mbështetës, autorësia dhe produkti, është e grupit të punës. Pas kalimit në Bruksel, do t’i kalojë Kuvendit e Parlamentit. Konsultimi publik është shumë me rëndësi”, tha Manja.









