Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka rishikuar masat e sigurisë për katër zyrtarë të hetuar në kuadër të operacionit “Parking”, i cili u zhvillua pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Nga vendimet e fundit të gjykatës, Adela Hysenaj – ish-zv.kryetare e Bashkisë Fier dhe ish-drejtoreshë e Taksave – si dhe Vasil Ceku, drejtor në Tatimet Rajonale, do të vazhdojnë të qëndrojnë në “arrest shtëpie”.
Për dy të tjerët, Anisa Cjapi (drejtoreshë e Taksave Vendore) dhe Martin Dodi (sekretar i përgjithshëm i Bashkisë), masa mbetet “pezullim nga detyra”, por Dodi nuk ka më ndalim për të lënë vendin.
Operacioni “Parking” u zhvillua pas një hetimi disa mujor të Policisë së Fierit dhe Prokurorisë së rrethit.
Dyshohet se përmes mospajisjes me kasë fiskale të një parkimi nëntokësor dhe favorizimit të subjekteve private, është shkaktuar një dëm prej rreth 40 milionë lekësh në buxhetin lokal.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Aurora Tusha.