Këshilltari ekonimik i Partisë Demokratike, Dorjan Teliti në një deklaratë për mediat u ndal tek çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme.
Teliti shprehet se qeveria ka vendodur të rrisë çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin, pa kryer asnjë konsultim publik me qytetarët dhe grupet e interesit. Ai thotë që me këtë vendim qeveria godet drejtpërdrejtë qeverinë.
“Me këtë vendim qeveria godet drejtpërdrejt qytetarët.
Rritet menjëherë taksa e pronës së banesave.
Bëhet më e kushtueshme blerja e një apartamenti si pasojë e rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e kostove të jetesës.
Në vend që të përkrahen familjet që përpiqen me ndershmëri të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre, qeveria ua vështirëson jetesën. Dhe e bën këtë në një kohë kur vendi vuan nga emigracioni masiv, rritja e çmimeve të shportës dhe pasiguria e lartë ekonomike.
Ky nuk është një vendim i rastësishëm. Është pjesë e një modeli qeverisës të gabuar, ku qytetarët e zakonshëm e ndjejnë përditë mungesën e shtetit dhe praninë e rëndë të padrejtësive. Rritja e çmimeve të referencës është një taksë e re, e fshehur, mbi çdo familje shqiptare që dëshiron të blejë, të trashëgojë apo të dhurojë një pronë.
Opozita është tërësisht kundër dhe nuk mund të rrijë e heshtur përballë kësaj padrejtësie.
Ne besojmë se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve, e jo në dëm të tyre.
Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshuar: të mbrojmë interesat e qytetarëve dhe aktorëve të tregut dhe të ndalojmë çdo përpjekje të qeverisë për të thelluar hendekun social dhe ekonomik.”, tha Teliti.









